Fotogaleri, Lajme, Njoftime

Me iniciativë të Shtabit komunal të emergjencës, në komunën e Zhelinës, sot më datë 27.11.2019, u mbajt mbledhje e jashtëzakonshme, me ç’rast u vendos për pikë të rendit të ditës: Solidarizim me bashkëkombasit tanë në Shqipëri, pas goditjes nga tërmetet.

Mbledhja filloi pas një minutë heshtje për viktimat dhe familjet e prekura nga tërmeti i fuqishëm me përmasa katastrofike që goditi Republikën e Shqipërisë, mëngjesin e ditës së martë. Në prezencë të kryetarit Blerim Sejdiu, kësaj mbledhjeje iu bashkangjitën qytetarë, përfaqësues të Organizatave joqeveritare, imamë të xhamive, dhe vullnetarë tjerë të interesuar.

Komuna e Zhelinës, përveç që ndau mjete financiare me vlerë prej 5000 eurosh nga buxheti i saj, në shenjë solidarizimi me vëllezërit tanë në Shqipëri, komuna e Zhelinës organizon edhe aksion vullnetar për grumbullim të ndihmave materiale që do t’u destinohen familjeve të prekura nga fatkeqësia natyrore që goditi qytetin e Durrësit, mëngjesin e ditës së martë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe viktima në njerëz.

Komuna e Zhelinës fton të gjithë qytetarët që t’i bashkangjiten këtij mobilizimi të gjithanshëm shqiptar për të ndihmuar vëllezërit tanë në Shqipëri. Me këtë rast, Komuna e Zhelinës do të jetë pikë grumbullimi e donacioneve, ku të gjithë qytetarët vullnetarë mund të dorëzojnë pakot e tyre në hapësirat e komunës së Zhelinës, edhe atë në formë të produkteve ushqimore, batanijeve, dyshekëve, etj. Ky aksion vullnetar fillon ditën e nesërme (28.11.2019), me fillim në ora 08:00, dhe do të vijojë deri ditën e dielë, 01.12.2019.

Me Ty Shqipëri.

Comments are closed.

Close Search Window