27/11/2019| Fotogaleri, Lajme, Njoftime
Me iniciativë të Shtabit komunal të emergjencës, në komunën e Zhelinës, sot më datë 27.11.2019, u mbajt mbledhje e jashtëzakonshme, me ç’rast u vendos për pikë të rendit të ditës: Solidarizim me bashkëkombasit tanë në Shqipëri, pas goditjes nga tërmetet.
Mbledhja filloi pas një minutë heshtje për viktimat dhe familjet e prekura nga tërmeti i fuqishëm me përmasa katastrofike që goditi Republikën e Shqipërisë, mëngjesin e ditës së martë. Në prezencë të kryetarit Blerim Sejdiu, kësaj mbledhjeje iu bashkangjitën qytetarë, përfaqësues të Organizatave joqeveritare, imamë të xhamive, dhe vullnetarë tjerë të interesuar.
Komuna e Zhelinës, përveç që ndau mjete financiare me vlerë prej 5000 eurosh nga buxheti i saj, në shenjë solidarizimi me vëllezërit tanë në Shqipëri, komuna e Zhelinës organizon edhe aksion vullnetar për grumbullim të ndihmave materiale që do t’u destinohen familjeve të prekura nga fatkeqësia natyrore që goditi qytetin e Durrësit, mëngjesin e ditës së martë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe viktima në njerëz.
Komuna e Zhelinës fton të gjithë qytetarët që t’i bashkangjiten këtij mobilizimi të gjithanshëm shqiptar për të ndihmuar vëllezërit tanë në Shqipëri. Me këtë rast, Komuna e Zhelinës do të jetë pikë grumbullimi e donacioneve, ku të gjithë qytetarët vullnetarë mund të dorëzojnë pakot e tyre në hapësirat e komunës së Zhelinës, edhe atë në formë të produkteve ushqimore, batanijeve, dyshekëve, etj. Ky aksion vullnetar fillon ditën e nesërme (28.11.2019), me fillim në ora 08:00, dhe do të vijojë deri ditën e dielë, 01.12.2019.
Me Ty Shqipëri.
Last modified: 27/11/2019
KOMUNA E ZHELINËS
Tel. +389 (0) 44 378 030
Viber / WhatsApp: +389 (0) 71 243 497
E-mail: info@zhelina.gov.mk & komunazh@gmail.com
Orari: 08:00 – 16:00 (E Hënë – E Premte)
Rr: 104, Nr: 14, Zhelinë, 1216
Republika e Maqedonisë së Veriut